55% e popullsisë shqiptare nga 20-64 vjeç nuk paguan sigurime, pandemia përkeqësoi gjendjen


Tregu i punës në vendin tonë paraqitet mjaft problematik, sidomos në drejtim të informalitetit, i cili pritet përkeqësojë varfërinë në të ardhmen në moshat e treta, ndërsa aktualisht po deformon sistemin fiskal, pasi një pjesë e të ardhurave nga taksat shkojnë për pagesën e pensioneve që nuk mbulohen nga kontributet.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) analizon se pandemia e Covid-19 ka ndikuar negativisht në treguesit e punësimit, duke e rritur më tej informalitetin në një vend si Shqipëria.

Për shkak të pandemisë, sistemet ekzistuese të sigurimeve shoqërore kanë një trend në rënie të mbulimit me kontribute të të punësuarve në moshë pune të popullsisë, referon ILO.

Mbulimi i ulët me kontribute i popullsisë në moshë pune në Shqipëri ka qenë historikisht i ulët. Sipas të dhënave të ILO-s në vitin 2019, vetëm 44.5% e popullsisë në grupmoshën 20-64 vjeç paguan sigurimeve shoqërore. Pjesa tjetër prej 55% e kësaj grupmoshe punon në të zezë, në pune të nëndeklaruar ose nuk aktivizohet në tregun e punës.

Punonjësit në sektorin publik (rreth 170 mijë në vitin 2019) janë 100% kontribuues në sistemin e sigurimeve shoqërore, por vetëm 42% e vetëpunësuarve paguajnë sigurime. Anëtaret e familjes që punojnë në bizneset familjare janë të përjashtuar tërësisht nga pagesa e kontributeve, edhe pse marrin të ardhura.

ILO vëren se pjesëmarrja në forcën e punës e të rinjve të moshës 15-24 vjeç është më pak se 40%, pasi një pjesë janë duke ndjekur arsimin, duke u marrë me punë dhe përgjegjësi shtëpiake ose të dekurajuar për të kërkuar një punë.

Përkundër shkallës së ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës, kjo grupmoshë shfaq shkallë të lartë të papunësisë dhe pjesëmarrje të ulët në punësim.

Në grupmoshën kryesore midis 25 dhe 54 vjeç, gratë shfaqin nivele më të ulëta të pjesëmarrjes në forcën e punës sesa burrat kryesisht për shkak të detyrimeve familjare. Në këtë moshë, burrat janë kontribuues në skemën e sigurimeve dy herë më shumë se gratë.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës bie ndjeshëm për burrat mbi 65 vjeç për shkak të moshës së pensionit.

Shkalla e pjesëmarrjes së grave në forcën e punës fillon të ulet më shpejt në grupmoshën 55-64 vjeç, kryesisht për shkak të pensionit. Përqindja e të papunëve në këtë grupmoshë është e lartë për të dyja gjinitë, veçanërisht te gratë.

ILO sugjeron se për të rritur pjesëmarrjen e përgjithshme të fuqisë punëtore dhe punësimin, është e rëndësishme të mbështeten të rinjtë në procesin e tranzitimit nga arsimi në punë./ Monitor