A u arrit një marrëveshje? Dalin detajet nga takimi mes punonjësve të Rinasit dhe ministres Balluku


Përfundon takimi mes ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku dhe 60 kontrollorëve ajrorë në aeroportin e Rinasit.

Mbledhja ka zgjatur shumë pak, ndërkohë që mësohet se nuk është arritur asnjë marrëveshje midis tyre.

Prej dy ditësh, kontrollorët e “Albcontrol” kanë ndërprerë punën dhe kanë protestuar e si pasojë, është ndërprerë dhe puna në aeroportin e Rinasit, duke i bërë të pamundura nisjet dhe uljet e avionëve.

Pagat janë ulur deri në 70 për qind ndërsa 5 kontrollorë u pushuan nga puna.

Një avion pasagjerësh që vinte nga Greqia ka qëndruar në pritje rreth 30-minuta mbi aeroport dhe për shkak pamundësisë për ulje është detyruar të kthehet drejt destinacionit nga ishte nisur.

Ndërkohë, kontrollorët kanë hartur një plan me 5 pika, realizimi i të cilave sipas tyre do të zhbllokojë ngërçin e krijuar.

Ata kërkojnë: Rikthimin e kolegëve të pushuar në punë, shfuqizimin e vendimeve të bordit, rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive, transparencë financiare e plotë për vitin 2020,  një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.

Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’, të cilët kanë firmosur deklaratën e paaftësisë në punë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë, ndikuar edhe nga pandemia.