Bllokimi në Rinas/ Përfundojnë në polici 9 kontrollorët e ‘Albcontrol’, mes tyre një grua (EMRAT)


Mbrëmë në afërsi të mesnatës, rreth orës 23:28, policia e Tiranës ka shoqëruar 9 kontrollorë të AlbControl, të cilët pasi lanë punën u bënë shkak që të pezulloheshin fluturimet në aeroportin e Rinasit.

Ndërkohë mësohet se prokuroria ka nisur hetimet për rastin në fjalë, për veprën penale “shpërdorim detyre”.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tirane ka filluar hetimet per situatën e ndodhur ne aeroportin e Rinasit. Vepra penale per te cilen po hetohet lidhet me Shperdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana e oficereve te policise gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore per zbardhjen e rrethanave te ngjarjes se ndodhur. Po vijojnë veprimet hetimore ne drejtim te evidentimit te rolit te secilit prej personave te përfshire ne kete ngjarje.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas informacioneve, mes të shoqëruarve janë: Rei Katroshi, Armando Fezga, Flora Ndreca, Mohnir Mezini, Sokol Kosta, Elton Shabani si dhe dy persona të tjerë.

Bëhet me dije se një pjesë e tyre u thirrën në telefon dhe shkuan vullnetarisht në polici dhe pjesa tjetër u shoqërua me forca policie pas mesnatës nga një ambient privat ku qëndronin te grumbulluar pas Albcontrol.

Kontrollorët hynë në grevë për shkak të stresit që ndienin në punë pas uljes së rrogave të tyre nga kriza e pandemisë.

Për pasojë është pezulluar puna në Rinas, duke ndërprerë kështu fluturimet hyrëse dhe dalëse nga i vetmi aeroport ndërkombëtar që ka vendi ynë.