E rëndë në Berat/ Fëmija 18 muajsh mbërrin i pajetë në spital, familja nuk pranon ti bëhet autopsi


Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Berat.

Mësohet se një fëmijë 18 muajsh është dërguar në spital pa shenja jete.

Sipas informacioneve bëhet fjalë për familjen Metullari, e cila banon në fshatin Pashalli.

Fillimisht fëmija ka mbërritur i pajetë në qendrën spitalore të Dimalit dhe më pas drejt spitalit të Beratit.

Burime bëjnë me dije se familja e të voglit nuk ka pranuar që ti bëhet autopsia, për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Fëmija është dërguar drejt spitalit me një ambulancë të urgjencës kombëtare, i shoqëruar nga mjeku dhe infermieri i qendrës spitalore të Bashkisë Dimal.

Mjeku dhe infermieri këmbëngulin se fëmija ka mbërritur i pajetë në qendrën shëndetësore, dhe transportimi i tij drejt Beratit ka qenë i kotë. Nuk dihet ende se pse familjarët e fëmijës nuk kanë pranuar që të bëhet autopsia, ndërsa nuk ka të dhëna qoftë për gjëndjen e tyre ekonomike, qoftë dhe për rrethanat në të cilat ndodhet kjo familje.