Jo vetëm Erdogan/ Një tjetër lider i Ballkanit merr vaksinën kineze: E bëra dhe ndihem shkëlqyeshëm


Pas presidentit të Turqisë Reccep Tayip Erdogan, edhe ai serb Aleksandar Vuçiç ka bërë vaksinën kineze Sinopharm kundër C OVID19.

Ngjarja u transmetua ‘live’ sot në televizion, në përpjekje për të inkurajuar serbët që të vaksinohen.

Vuçiç kishte kohë që kishte lajmëruar që do të merrte vaksinën, por ky proces ishte shtyrë deri më tani.

“E mora vaksinën dhe ndihem shkëlqyeshëm. Faleminderit punonjësve tanë të shkëlqyeshëm shëndetësorë. Faleminderit vëllezërve tanë kinezë”, tha Vuçiç.

Vuçiç ka kritikuar publikisht Bashkimin Evropian për qasjen e tij ndaj pandemisë së koronavirusit, me gjithë dhjetëra miliona dollarët ndihma për kujdesin shëndetësor në Serbi.

Serbia ka siguruar doza të mëdha të vaksinave nga Kina dhe Moska, por edhe nga prodhuesit perëndimorë Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Mbi 1.5 milion serbë kanë marrë tashmë së paku një dozë të vaksinës. Por, rezistenca e ashpër dhe mosbesimi kanë bllokuar regjistrimet për vaksinim.

Muajin e kaluar, zyrtarët serbë kanë hapur mundësinë edhe për të huajt që të vaksinohen në Serbi.