Në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit prej 9 orësh nuk mund të ulet asnjë avion.
Kjo ndodh pasi kontrollorët e trafikut ajror kanë vijuar grevën dhe sot duke sjellë mbylljen e kullës së vrojtimit.
Për pasojë, ulja e avionëve në pistë është bërë e pamundur.
68 kontrollorë të kullës së kontrollit nga “Albcontrol” kanë braktisur punën deri në nëshkrimin e kontratave me kontrollorët për pagat, transparencë fondesh, pjesë në vendimarrje në bord si dhe kthimin në punë të kolegëve të tyre.
Pagat e kontrollorëve janë ulur deri në 70 për qind ndërsa 5 kontrollorë u pushuan nga puna.
Një avion pasagjerësh që vinte nga Greqia ka qëndruar në pritje rreth 30-minuta mbi aeroport dhe për shkak pamundësisë për ulje është detyruar të kthehet drejt destinacionit nga ishte nisur.
Në aeroport pritet të shkojë dhe vetë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku për të negociuar me kontrollorët për rinisjen e punë. Ndërkohë, kontrollorët kanë hartur një plan me 5 pika, realizimi i të cilave sipas tyre do të zhbllokojë ngërçin e krijuar.
Ata kërkojnë: Rikthimin e kolegëve të pushuar në punë, shfuqizimin e vendimeve të bordit, rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive, transparencë financiare e plotë për vitin 2020, një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.