“Kemi humbur ngarkesën e djeshme” Ramës i vjen keq për vaksinat: Është realisht e dhimbshme


Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të mos tërhiqet nga deklaratat që lëshoi dje në lidhje me bllokimin e fluturimeve nga aeroporti i Rinasit, për shkak të grevës së kontrollorëve të “Albcontrol”.

I pranishëm në qytetin e Gjirokastrës, nga ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit, kreu i qeverisë tha se “forcat e verbra të së shkuarës” i kanë bërë llogaritë gabim pasi kanë marrë përsipër të sfidojnë qeverinë dhe kryeministrin e gabuar.

“Një gjë është mbase pak po e sigurt. Nuk ka shanc që forca të verbra, të së shkuarës që duan me çdo kusht të marrin peng të ardhmen, të na ndalin në këtë proces. I kanë bërë llogaritë gabim dhe kanë marrë përsipër të sfidojnë qeverinë dhe kryeministrin e gabuar”, tha Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se për shkak të bllokimit të Aeroportit, vendi ynë ka humbur je një ngarkesë vaksinash. “Ne kemi humbur faktikisht ngarkesën e djeshme të vaksinave, dhe kjo është realisht e dhimbshme në një kohë lufte, kur çdo sekondë dhe minutë vlen, dhe ne s’po lëmë sekondë dhe minutë pa shfrytëzuar.”