Kosova miraton masat e reja shtrënguese/ Mbyllen lokalet, kufizohet qarkullimi i qytetarëve 


Qeveria e Kosovës miratoi këtë të hënë masa të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Masat për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, duke përjashtuar rastet urgjente. Shërbimet e gastronomisë detyrohen po ashtu të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Vendimi i  Qeverisë së Kosovës, thotë se ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç mund të jenë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti vetëm duke respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin si dhe luftimin e pandemisë së koronavirusit.  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar me 147 mostra pozitive me koronavirus, për detektiminin e variantit britanik të koronavirusit dhe atij të Afrikës Jugore.

Këto mostra, thuhet se ishin pranuar nga rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga mostrat e testuara, 97.27 për qind e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut.