Kriza në Rinas, kontrollori: Në Kroaci marrin 9 mijë euro! Nëse bëjmë gabime nuk dalim nga burgu


Prej mbrëmjes së djeshme fluturimet në Rinas janë bllokuar për shkak se 65 kontrollorët kanë shpallur paaftësinë për të punuar, duke e arsyetuar me faktin se ulja e pagave ka ndikuar në rritjen e stresit te këta punëtorë.

Andel Trebicka, njëri prej kontrollorëve të aeroportit të Rinasit, në një intervistë për Fax News është shprehur se ligji ua lejon kontrollorëve që të shpallin paaftësi, pasi puna e tyre është me shumë përgjegjësi dhe nuk mund të punojnë kur janë të stresuar.

Sipas tij, në Shqipëri nuk ka asnjë person tjetër që mund t’i zëvendësojë këta kontrollorë, pasi është një proces i gjatë për t’u bërë kontrollor.

“Lekët e aviacionit qeveria i ka devijuar për aeroportin e Kukësit, për Air Albanian dhe projekte të tjera. Rrogat e kontrollorëve në Kroaci janë 9000 euro, në Serbi janë 6000 euro, pasi ne me një gabim që mund të bëjmë vrasim 400 persona dhe s’dalim më nga burgu.

Ne kemi shpall paaftësi dhe jo grevë. Me ligj të shtetit, nëse unë kam fëmijën apo prindin sëmurë, unë nuk mund të ulem të punoj pasi rrezikoj avionët. Kemi dërguar letra brenda dhe jashtë vendit dhe i vetmi që na ka dëgjuar është presidenti Ilir Meta.

Ne presim që të vijnë të negociojnë. Që nga marsi që është mbyllur Shqipëria, ne e kemi përballuar COVID-in pa asnjë mase sigurie, nuk na është bërë asnjë test. Këtu jemi 65 kontrollorë, nuk është asnjë tjetër që nuk na është bashkuar.

Kam 22 vite që punoj si kontrollor dhe akoma nuk i kam mbaruar trajnimet pasi kjo është një punë që nuk mbaron, sepse teknologjia përparon. Asnjë nuk mund të na zëvendësojë ne, është proces i gjatë për t’u bërë kontrollor, është një punë delikate me përgjegjësi të madhe”, tha Trebicka.