Mbërritja e vaksinave në Rinas, Manastirliu: Pas dy javësh do vijnë edhe 100 mijë doza të tjera


Ngërçi i krijuar në Aeroportin Nënë Tereza duket se u zgjidh dhe pasditen e kësaj të marte, janë ulur në pistën e aeroportit 100 mijë vaksina kineze të Sinovax.

Për të pritur këtë ngarkesë, që ndihmon në vaksinimin masiv të popullatës, ishin tre ministrja, Ahmetaj, Balluku dhe Manastirliu. E para që e mori fjalën ishte ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila tha se nga sot fatmirësisht aeroporti është i hapur për fluturime shtetërore, diplomatike, ushtarake. Ajo shtoi se fatmirësisht me rivendosjen në funksionim të aeroportit u bë e mundur edhe mbërritja e vaksinave.

Ogerta Manastirliu: Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishte bërë kjo përpjekje madhore. Në rast se një shtet nuk është gati t’i marrë, një vend tjetër i merr. Ne arritëm që t’i merrnim dhe t’i kemi këtu. Tashmë na është shtyrë me 48 orë plani i vaksinimit sepse do kohën e vet dokumentacioni, inventari, etj. Pas dy javësh do të kemi edhe 100 mijë vaksina të tjera Sinovac. Nuk do ndalim derisa të jetë vaksinuar edhe qytetari i fundit.