Merret vendimi/ Pas protestës së punonjësve, ja çfarë do ndodhë me fluturimet në Rinas


Deri ditën e nesërme aeroporti i Rinasit nuk do të ofrojë asnjë shërbim.

Mësohet se nuk do të ketë as ulje dhe as nisje të mjeteve ajrore deri më dt.8 prill, ora 10:00.

Njoftimi ka dalë nga Autoriteti Kombëtar i Fluturimeve.

Ky vendim vjen pas mosdakordësisë në takimin mes kontrollorëve dhe ministres së Transporteve Belinda Balluku.

Një ditë më parë, por edhe sot, kontrollorët ndërprenë punën në aeroport. Ata u shprehën se shkak u bënë 5 shkarkime nga puna, të papritura sipas tyre. Në këto kushte, kontrollorët e “Albcontrol” dolën në protestë duke ndërprerë punën dje dhe sot dhe kërkuan kthimin në punë të operatorëve të larguar.

Ministrja e Infrastrukturës zhvilloi një takim me ta, por mesa duket pa asnjë kompromis, duke vijuar ngërçin e krijuar në aeroport.

Vetë Aeroporti i Tiranës njoftoi më herët gjatë ditës se për shkak të situatës pati probleme me dy fluturime.