Ndërpriten fluturimet/ Greva e punonjësve, aeroporti i Rinasit nxjerr njoftimin e rëndësishëm


Vijon situata kaotike në aeroportin e Rinasit për shkak të grevës së punonjësve të “Albcontrol”.

Për pasojë prej 9 orësh nuk mund të ulet asnjë avion në pistë.

Kjo ndodh pasi kontrollët e trafikut ajror kanë vendosur të pezullojnë punën duke sjellë dhe mbylljen e kullës së vrojtimit.

Ndërkohë aeroporti i Rinasit “Nënë Tereza” ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë pasagjerët.

“Sot, më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror. Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë. Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë. Operimet kane rifilluar në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.

Tirana International Airport”, thuhet në të.

68 kontrollorë të kullës së kontrollit nga “Albcontrol”  kanë braktisur punën deri në nëshkrimin e kontratave me kontrollorët për pagat, transparencë fondesh, pjesë në vendimarrje në bord si dhe kthimin në punë të kolegëve të tyre.

Pagat e kontrollorëve janë ulur deri në 70 për qind ndërsa 5 kontrollorë u pushuan nga puna.

Në aeroport pritet të shkojë dhe vetë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku për të negociuar me kontrollorët për rinisjen e punë. Ndërkohë, kontrollorët kanë hartur një plan me 5 pika, realizimi it ë cilave sipas tyre do të zhbllokojë ngërçin e krijuar.

Ata kërkojnë: Rikthimin e kolegëve të pushuar në punë, shfuqizimin e vendimeve të bordit, rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive, transparencë financiare e plotë për vitin 2020,  një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.

Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’, të cilët kanë firmosur deklaratën e paaftësisë në punë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë, ndikuar edhe nga pandemia.