“Nuk durohet më” Basha thirrje qytetarëve të Cërrikut: Votoni për ndryshimin, 25 prilli po vjen


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhej ditën e sotme në Cerrik, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Lideri i opozitës theksoi se qytetarët nuk durojnë dot më me Ramën kryeministër.

Ai shtoi se njerëzit duhet të votojnë ndryshimin, që Cërriku dhe mbarë vendi të ndiejë ndryshimin e shumëpritur.

“Të dashur qytetarë. E di se këta janë vite të vështira për Cërrikun dhe Shqipërinë.  Jemi takuar në momente dramatike për familjet tuaja. Rama vendosi që të rrisë çmimin e energjisë, mbaj mend takimin me ju pasi rriti çmimin e naftës, pastaj vendosi TVSH për bizneset e vogla, hoqi familjet nga ndihma ekonomike, shpunësoi baballarë dhe nëna pa pyetur për ta dhe fëmijët e tyre.

Tetë vite dështim, varfëri, papunësi, tetë vjet premtime që nuk i ka mbajtur. Sot, një njeri në pozitën e tij duhet të kishte vetëm dy fjalë në gojë, t’i thoshte çdo gjyshi, çdo gjyshe, çdo babai, nëne e fëmije “Më fal”. Rama ka shkatërruar familjet shqiptare, ekonominë. Tani po troket për herë të tretë, mos ia hapni derën. Fjalët që dëgjohen më shumë janë dy: nuk durohet më. Ndryshimi ndihet kudo, nuk durohet më. Mezi presim 25 prillin, për të sjellë ndryshimin e Shqipërisë. Bashkë për ndryshim, Cërriku fiton, Elbasani fiton, Shqipëria fiton”, u shpreh Basha.