Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se të gjithë ata kontrollorë të AlbControl të cilët nuk kryejnë funksionin e tyre, do të nxirren nga ndërtesa.
Sipas Ballukut, nga ky moment, ndërtesa do të merret në kontroll nga Forcat e Armatosura.
Pak minuta pasi pranë zyrave të AlbControl mbërritën ushtria dhe policia, Balluku u shpreh se ata që nuk janë pjesë e mashave të politikës të qëndrojnë dhe të deklarojnë se janë të aftë për punë.
“Një pjesë e kontrollorëve janë të kapur nga politika. Sot një çetë ka marrë peng hapësirën ajrore shqiptare, të këshilluar nga mjeshtrat e politikës.”, tha Balluku.
Policia e Shtetit dhe ushtria kanë rrethuar zyrat e Albcontrol pasi kulla e kontrollit është ndërtesë e sigurisë së lartë.
Greva e 65 kontrollorëve të Albcontrol ka bërë që të pezullohet puna në aeroport, duke ndërprerë fluturimet hyrëse dhe dalëse në aeroport.