Programi i mbështetjes për bujqësinë, 40% e fondeve shkuan për fermerët, të tjerat shpenzime korrente


Fondet nga programi i mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural arritën në 3.5 miliardë lekë në vitin 2020, por vetëm 40 për qind e kësaj shume, rreth 1,3 miliardë lekë shkuan si mbështetje direkte për fermerët dhe pjesa tjetër 60 për qind shpenzime korrente, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave që u publikuan në një raport Monitorimi për buxhetin e bujqësisë më 2020.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, për vitin 2020 ka shpallur fitues dhe ka disbursuar fondet për 5 496 aplikantë fitues, nga të cilët 963 gra, të cilat përbëjnë rreth 18 % të totalit të përfituesve.

Programi i subvencionit u realizua në masën 95% të fondit të programuar për 2020. Ky program buxhetor zuri rreth 35% të totalit të fondeve të MBZHR për vitin 2020.

Fondet në mbështetje të bujqësisë u shpenzuan këtë mënyrë. Përveç 1,3 miliardë lekëve që u shpërndanë për fermerët pjesa tjetër prej 2,1 miliardë lekësh, shkoi për organizim panairesh, promocion, këshillim etj.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mori pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të zhvilluar në Berlin, Gjermani në muajin shkurt 2020 “Fruit Logistica”, ku mbështeti pjesëmarrjen e 10 operatorëve të biznesit (fruta–perimeve) në këtë event me qëllim promovimin e produkteve shqiptare për të nxitur mundësinë e lidhjes së kontratave të reja për rritjen e eksporteve.

Gjithashtu u realizua një aktivitet lokal në Gjirokastër në kuadër të eventit “Gjirokastra në UNESCO” në Korrik 2020. MBZHR mbështeti 15 biznese/fermerë të zonës së Gjirokastrës me qëllim promovimin e produkteve të zonës, produkteve tipike dhe kulinarisë.

Me mbështetjen e projektit GIZ, u hartua aplikacioni “AgrotimeAl” që promovon të gjitha sipërmarrjet agroturistike në vend. Pjesë e aplikacionit deri tani, janë 90 subjekte agroturistike të certifikuara dhe sipërmarrjeve agroturistike. Aplikacioni promovon dhe 42 kantina, dhe 15 fabrika të përpunimit të vajit të ullirit. Aplikacioni ka arritur përafërsisht  5000 shkarkime deri tani.

Ministria e Bujqësisë gjatë vitit 2020 kanë prodhuar dhe shpërndarë në median vizive 4 spote promovuese, me qëllim informimin e audiencës mbi ecurinë në bujqësi, blegtori, peshkim dhe zhvillim rural, ku deri më tani janë rreth 80,000 klikime.

Janë kryer degustimet mbi 350 mostrave të duhanit, është ndjekur ecuria e kultivimit dhe përpunimit të duhanit, është rritur sipërfaqja e mbjellë me duhan, si dhe janë asistuar fermerët në të gjithë procesin e kultivimit, vjeljes, ruajtjes dhe përpunimit të duhanit. Janë kryer të gjitha procedurat për blerjen e pajisjeve të ndryshme si dhe pajisjeve laboratorike.

Gjatë vitit 2020 janë kryer procedurat për mbrojtjen e buajve, racë autoktone, si dhe përmirësimin racor në gjedh. Janë kryer analiza, testime dhe certifikime sipas ligjit për “Materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kryer regjistrimet përkatëse në katalogun Kombëtar të varieteteve, si dhe janë kryer të gjitha procedurat për blerjen e pajisjeve të ndryshme dhe pajisjeve laboratorike për farërat dhe fidanët.

Në qendrat bujqësore është kryer procesi i identifikimit për njësitë e vreshtit dhe ullishtës për qarqet e Fierit dhe Beratit, dhe për arsye të procedurave të tenderimit (dy herë anuluar procedura), vetëm në fund të vitit u mundësua rifillimi i punës, gjë që çoi në kalimin e regjistrimit të njësive në vitin 2021.

Shqipëria ofron mbështetje më të ulët direkte për bujqësinë në raport me vendet e tjera të Rajonit. Për rrjedhojë fermerët shqiptarë përballen më kosto të larta të prodhimit final të produkteve, proces ky që mban në minimum fitimet e tyre dhe ul konkurrencën në tregjet e huaja./Monitor/