“U tmerrova, ja si u goditën natën vrasësit me pagesë” Artan Hoxha zbardh detaje nga 18 bazat e armatimeve në Tiranë


Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja në lidhje me hetimet që zbuluan 18 bazat ku magazinoheshin dhe modifikoheshin armatime luftarake në Tiranë nga grupe të rrezikshme kriminale që kryenin vrasje me pagesë.

Sipas tij goditja ka ndodhur natën në të njëjtën kohë në të gjitha bazat për të mos u dhënë mundësinë kriminelëve që ishin në vëzhgim të largoheshin.

Ai tregoi më pas sesi u zbuluan bazat dhe se grupet kriminale rekrutonin profesionistë që kanë punuar në uzinat ushtarake për modifikimin  e armëve.

“Policia e Tiranës ka kryer një aksion shumë të suksesshëm dhe gjej rastin ta përgëzoj, gjatë muajve të fundit ka pasur disa aksione të suksesshme. Ndërhyrja është kryer gjatë natës nga forcat operacionale mbështetur nga RENEA, sepse do të goditeshin shumë baza njëherësh, që personat që ishin nën vëzhgim të mos largoheshin.

Nga armët e modifikuara deri te snajperët e vitit të fundit dhe kundërtank, tregon sa armatim të madh ka krimi i organizuar. Gjithë ky arsenal i është hequr nga dora krimit të organizuar. Unë jam tmerruar nga pamjet, armët jo vetëm ishin shumë por të sofistikuara. Ato janë në dorën e krimit, që është armatosur deri “në dhëmbë”.