Aksion në Durrës/ Shemben banesa dhe biznese, pronarët: Nuk e prisnim, votuam Partinë Socialiste


Ditën e sotme janë shembur disa ndërtesa në Durrës.

Banorët kanë protestuar duke thënë se nuk janë njoftuar për një aksion të tillë.

Ata shtuan se u befasuan pasi edhe në zgjedhjet e 25 prillit votuan për Partinë Socialiste.

Godinat e shembura, banesa dhe biznese ndodhen në zonën e ish-Kënetës.

Prej disa vitesh aty ka nisur një investim për projektin që ka si qëllim ndërtimin e një rruge.

Pronarët janë shprehur për mediat se kanë mësuar që pronat e tyre do shembeshin vetëm këtë të Martë, ditën kur edhe fadromat kanë nisur punën për shembjen e objekteve. Ata janë ngritur në protestë duke kundërshtuar shembjen e bizneseve dhe banesave.

Gjithashtu pronarët deklarojnë lidhur me këtë projekt se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar dhe nuk dinë si do të zhvillohet ndërtimi i rrugës dhe se në këtë mënyrë nuk dihet fati i objekteve të tyre.

Ata thanë po ashtu për gazetarët se ishin votues të Partisë Socialiste dhe nuk e prisnin shembjen e pronave të tyre.