“Ata që duan dorëheqjen janë shërbëtorët e Ramës”/ Mark Marku do protesta, Basha ia pret shkurt: Nuk është koha!


2 orë zgjati mbledhja në selinë blu e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ekipit të PD-së, ku kishte dhe kërkesë për protesta.

Ishte Mark Marku ai që kërkoi të bëhen reagime të forta, duke kërkuar edhe protesta me arsyetimin se njerëzit duan të dinë çfarë qëndrimi do mbajë PD. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kolegu i tij Agron Gjerkmarkaj.

“Gjëja më e thjeshtë për mua është të thërras protesta. Por po pas kësaj? Jo, sepse nuk është kjo koha. Prioriteti ynë është të vetëdijësojmë njerëzit për masakrën elektorale që edhe protesta të ketë kuptim”, ka thënë Basha.

Ndërkohë pas mbledhje për mediat Marku tha se sa u përket personave që kërkojnë dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha, ata janë shërbëtorë të kryeministrit Edi Rama.

“Do të jetë një luftë totale. Do të jetë një luftë derisa Rama të largohet nga pushteti. Unë e kam thënë edhe më herët, duhet përdorur çdo gjë e mundshme për të mposhtur një regjim. Aty ku nuk ka zgjedhje të lira, u lind e drejta qytetarëve që të marrin çdo vendim sepse pushteti është ilegjitim. Kryetari e ka deklaruar se nuk do të njohë zgjedhjet e 25 prillit. Ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës janë shërbyer të Ramës. Me dashje pa dashje i shërbejnë atij. Nuk ka rëndësi a janë pjesë apo jo, mund t’i shërbejnë Ramës edhe duke qenë në PD, edhe pa dashje,”- tha Marku.