“Institucionet vendimmarrëse nuk janë vegla të kryetarit”/ Grupimi për PD i kthehet ashpër Bashës


Basha nuk mund të drejtojë cështjet për diskutim dhe të përdorë institucionet vendimmarrëse si vegla, kështu shprehet në një deklaratë Grupimi “për PD” kundër kryedemokratit.

Ata thonë se nuk janë vartës të kryetarit por të zgjedhur nga anëtarësia, ndaj rendi i ditës dhe çështjet për diskutim e mbledhjeve të ditës së dielë nuk mund të komunikohen nëpërmjet sekretarëve personal të Bashës.

Reagimi i plotë

Institucionet kryesore vendimmarrëse të Partisë Demokratike nuk janë e nuk mund të përdoren si vegla të Kryetarit të Partisë për të diktuar e kufijëzuar ky i fundit drejtimin e debatit të brendshëm.

Rendi i ditës, temat dhe çështjet për diskutim në organet më të larta nuk mund të vendosen njëanshmërisht nga një individ i vetëm e aq më pak tu komunikohen këto vendime anëtarëve të nderuar të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nëpërmjet sekretarëve personal të Kryetarit.

Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nuk janë vartës të kryetarit po të zgjedhur nga anëtarësia e partisë si përfaqësues të vullnetit të demokratëve dhe jo kryetarit.