“Potencialet e Shqipërisë së Kaltër”/ Banka Botërore sjell konkursin fotografik


Bukuritë turistike të Shqipërisë, do të jenë pjesë të konkursit të fotografisë, që organizon Zyra e Bankës Botërore në Tiranë.
Banka Botërore fton gjithëkënd që ka dëshirë të shprehë idetë e tij, mbi vizionin për turizmin, përmes artit të fotografisë, të marrë pjesë në konkursin fotografik “Potencialet e Shqipërisë së Kaltër”.
Konkursi është i hapur deri në 15 qershor 2021 dhe synon të sjellë në celuloid burimet detare dhe bregdetare që janë asete të vyera natyrore dhe ekonomike për Shqipërinë.
Banka Botërore vëren se, ekonomia e mbeshtetur mbi zhvillimin e ketyre aseteve në mënyrë të shëndetshme dhe të qendrueshme, ka perfitime jo vetem për popullsinë e bregdetit, por të gjithë vendit.
Ekonomia e Kaltër ndihmon në përdorimin e deteve tona në mënyrë të shëndetshme dhe të qendrueshme, me përfitime për popullsinë e bregdetit dhe të gjithë vendit.
“Qoftë ai një element i vetëm nga ekonomia e kaltër si p.sh. turizmi bregdetar, detar, apo peshkimi, akuakultura, apo bregdeti e deti i pastër nga ndotjet plastike, apo një moment që shpreh më gjerë idenë e Ekonomisë së Kaltër të Shqipërisë, ne ju ftojmë qe ta ndani vizionin tuaj me ne përmes fotografive tuaja”- citon njoftimi i BB.
Për fituesit do të jepen ҫmime, ndërsa fotot më të mira do të ekspozohen në një galeri virtuale që mund të vizitohet gjatë disa muajve.
Konkursi fotografik “Potencialet e Shqipërisë së Kaltër organizohet në emër të Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri nga Landways International për të promovuar zhvillimin e Ekonomisë së Kaltër në Shqipëri.
Konkuruesit duhet të dërgojnë deri në 5 foto me temën Potencialet e Shqipërisë së Kaltër. Të gjitha fotot duhet të jenë origjinale, të shkrepura me aparat apo celular gjatë dy viteve të fundit 2020-2021. Çdo foto duhet të ketë titull, jo më shumë se 10-15 fjalë. Fotot duhet të jenë origjinale dhe të papublikuara, me rezolucion më të lartë./ATSH/