Thirrjet për dorëheqje, Paloka: Unë bëra burg për PD-në


Një grup brenda PD-së me ish-presidentin Bujar Nishani në krye, i cili është njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar, ish-deputetin Arben Imami dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Arben Ristani dhe të tjerë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit nga opozita nuk kërkojnë vetëm dorëheqjen e Lulzim Bashës por edhe të numrit dy të partisë Gazment Bardhi dhe dy nën kryetarëve Edi Paloka dhe Edmond Spaho.

Mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC, Edi Paloka kishte një përgjigje. “Unë kam 30 vite e kam themeluar atë parti, kam hyrë edhe në burg dhe nuk kam marrë asgjë dhe nuk ka asnjë nga këta që të më dalë përballë mua në atë parti” ishte replika e Palokës.

Referuar Fatbardh Kadillit që ka shpallur kandidaturën, n/ kryetari i PD-së njoftoi se në parti do të ketë zgjedhje për kryetarin dhe cilido është i lirë që të paraqesë alternativën e tij.

“Do të ketë zgjedhje në PD, kush ja një opsion më të mirë, kush mendon se bën më të mirë se Basha apo Paloka, e kanë rrugën e hapur…t’u thotë demokratëve këta nuk ju sjellin në pushtet se nuk dinë….ne kemi zgjidhjen, jam kandidat, zgjidhja është kjo, hajde të kandidojmë, kush e ndalon?”.

Paloka shpjegoi edhe arsyen se përse sipas tij, Edi Rama i bëri ftesën PD-së për bashkëpunim pa vija të kuqe.

“Kjo që ka filluar nuk ndalet, për të ndryshuar nuk ishte vetëm dje, por edhe sot. Është një gjë të manipulosh 5 apo 10% të njerëzve, por të manipulosh 20 apo 30% të vullnetit nuk mund të presësh që të rrinë urtë.

Rama e di shumë mirë këtë, ai është hileqar i vogël… “do të bashkëpunojmë”, thotë “hajde qeverisim”, që të ulin tempin e këtyre njerëzve që janë të dëshpëruar, por do të kalojë ky moment. Njerëzit duan ndryshimin” tha ai. Abcnews.al