Tre javë pas zgjedhjeve/ Edi Rama gjen arsyen: Ja pse opozita pati performancë të dobët më 25 prill


Pasi siguroi mandatin e tretë, kryeministri Edi Rama u shpreh së fundmi se ai është prova që Shqipëria po bën përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Financial Times, kreu i qeverisë tha se zgjedhjet e 25 prillit, të cilat i ofruan fitoren, treguan se kombi po përqafonte stabilitetin.

“Shqipëria është një demokraci adoleshente, dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por po rritet dhe do të arrijë pjekurinë për një kohë jo të gjatë,” deklaroi Rama.

Gjithashtu ai hodhi poshtë ankesat e opozitës për zgjedhjet dhe kapjen e shtetit. “Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës ankohen për mungesë lirie”, shtoi ai.

Ai tha se refuzimi për t’u përfshirë në institucione politike ishte arsyeja për performancën e dobët të Partisë Demokratike (PD) dhe LSI.

“Opozita ka humbur betejën e saj të pestë me radhë – tre zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale – sepse ata kurrë nuk kanë qenë humbës të mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh”, tha ai.

Rama foli për procesin e hapjes së negociatave dhe anëtarësimi e Shqipërisë në BE.

“Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga një amnezi lidhur me atë se kush janë, cili është qëllimi i ekzistencës së tyre. Ata janë forca më e madhe dhe shpresoj se do të shërohen shpejt sepse pa to bota është një vend shumë më i keq“, u shpreh Rama.