Vjen lajmi i mirë/ Pas një viti bllokim, ja data kur Greqia do të hapë kufinjtë me Shqipërinë


Pas një viti bllokim për shkak të pandemisë, Greqia pritet të hapë kufinjtë tokësorë dhe ajrorë më datë 14 maj.

Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme, me nisjen e sezonit turistik shteti helen do të lejojë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë, duke hapur kështu pikën kufitare të Kakavijës.

Megjithatë rregullat janë duke u negociuar nga autoritetet shëndetësore të dy shteteve.

Për të kaluar në Greqi, mendohet që udhëtarët do të duhet të dorëzojnë një tampon, ose një dokument që vërteton se janë vaksinuar apo që e kanë kaluar C OVID19.

Ky dokument do të shërbejë si një certifikatë vaksinimi dhe përveç datës së vaksinimit dhe emrit të vaksinës, certifikata duhet të japë informacion apo të dhëna për testet serologjike me qëllim që qytetarët të mund të udhëtojnë edhe nëse imunitetin ndaj virusit e kanë fituar në mënyrë natyrale.

Ky është një lajm i mirë për të gjithë punëtorët sezonalë që i drejtohen vendit fqinj për të siguruar një punë.

Kujtojmë se aktualisht vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë, të cilët janë të detyruar të qendrojnë në karantinë 14 ditë.

Po ashtu Greqia po lejon hyrjen e shqiptarëve për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale ose mjekësore, për të cilat kanë edhe vërtetimet e nevojshme, për kamionët transportues, si dhe për tranzit të automjeteve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak ose administrativ të vendeve anëtare të BE-së.

Po ashtu, Greqia ka ndaluar edhe udhëtimin me avionë drejt vendit fqinj, edhe pse para disa ditësh njoftoi se do të lejonte udhëtimet ajrore nga vendet e treta. Të vetmit që mund të udhëtojnë me avion drejt vendit fqinj janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.