“Ditë historike” Sali Berisha kthehet pas në kohë, kujton takimin para 14 viteve me presidentin Bush


Pasi u shpall “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha është kthyer pas në kohë.

Ai është bërë nostalgjik, duke kujtuar pritjen e ish-presidentit të SHBA George W Bush në Tiranë.

Bush erdhi në Tiranë 14 vite më parë, në 10 qershorin e vitit 2007, duke shënuar vizitën e parë të të një presidenti amerikan në Shqipëri.

“Një datë historike në marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Vizita e Presidentit George W. Bush në Shqipëri”, shkruan Berisha në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga konferenca e përbashkët për media.

Së fundmi çështja e shpalljes “non grata” të Sali Berishës u bë temë debati në SHBA, ku sekretari amerikan i Shtetit Blinken u pyet nga kongresmeni Lee Zeldin, i cili i kërkoi informacione specifike për vendimin e papritur. Zeldin iu drejtua përmes një letre Komisionit për Çështjet Ligjore në Departamentin Amerikan të Shtetit lidhur me çështjen.