Folësi i lajmeve ndërpret edicionin dhe thotë se nuk kanë marrë ende rrogat: Jemi qenie njerëzore, duhet të paguhemi


Në rrjete sociale po qarkullon një video në të cilën shfaqet një prezantues i lajmeve në Zambi që ndërpret leximin e lajmeve dhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë ankohet para shikuesve se ai dhe kolegët e tij nuk i kanë marrë rrogat.

Prezantuesi Kabinda Kalimina shkaktoi jo pak habi gjatë programit të lajmeve në televizionin KBN TV, kur tha se stafi nuk i ka marrë pagat dhe këmbënguli se punëtorët duhet të paguhen.

Ai e nisi edicionin si zakonisht, duke lexuar titujt kryesorë të lajmeve, kur papritmas u ndal dhe filloi të ankohej.

“Larg nga lajmet, zonja dhe zotërinj, ne jemi qenie njerëzore. Ne duhet të paguhemi. Fatkeqësisht, ne në KBN nuk jemi paguar. Sharoni dhe askush tjetër nuk janë paguar, përfshirë dhe mua. Ne duhet të paguhemi”,- tha ai.