“Gjë që pritej, nuk ishte surprizë” Shkarkimi i Metës, Arian Çani paralajmëron ‘furtunë’ në politikën shqiptare


Lajmi më i rëndësishëm sot nga fusha e politikës ishte padyshim shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga Kuvendi.

Menjëherë pas kësaj ka folur dhe gazetari i njohur Arian Çani.

Ai u shpreh në studion e lajmeve të MCN, se pas procesit të votimit pro në parlament, tashmë shkarkimi i Metës do të varet nga Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij është në dorë të amerikanëve.

Çani gjithashtu tha se Amerika ka vendosur t’i çojë gjërat deri në fund dhe “thuhet që mund të ketë edhe disa ish-ministra ose ministra që do të shpallen non grata”.

Pjesë nga intervista:

Si e komentoni situatën politike në vend, shkarkimin e presidentit Ilir Meta?

Çani: Komenti im i parë është se është një gjë që prirej, nuk ishte surprizë. Ishte fillimi i një fundi të paralajmëruar. Përballë sistemit që Rama ka ndërtuar fitohet vetëm me rrugë ekstrapolitike. Vetë Meta e ka ditur që ky do të ishte fundi i tij. Nuk dihet nëse karriera e tij do ngrihej. Një gjë është e sigurt që kur u kthye Berisha pas 97-ës nuk është çudi që të kthehet Meta fuqishëm. Por tani e ka në dorë Kushtetuesja dhe nuk dimë kur do të jetë data e shkarkimit të tij. Por në një farë mënyre Rama i ka treguar dhëmbët kundërshtarëve dhe ky rezultat i sotëm është në njëfarë mënyre një fitore e vogël edhe për legjislaturën e vjetër.

Presidenti u shkarkua, çfarë pritet të ndodhë më pas?

Axhenda politike është qartë, sot ishte shkarkimi i Metës, tashmë vetëm Kushtetuesja mund ta shkarkoi. Se çfarë do bëjë Kushtetuesja kjo varet nga amerikanët. Tashmë loja është e hapur. Meta i ka kundërshtuar hapur ndërhyrjet amerikane.

Hapi i radhës shpallja non grata e Metës?

Nëse Berisha do ishte larguar në 2013-ën ai nuk do ishte shpallur non grata. Ilir Meta nuk është nga ata tipa që mund të tërhiqet. Nëse do tërhiqej mund të kishte një shans, por ai nuk mendoj se do tërhiqet. Mendoj se do vijë edhe fermani për të nga Amerika. Amerika ka vendosur ti çojë gjërat deri në fund. Me Berishën ka mbaruar tani e ka radhën Meta dhe thuhet që mund të ketë edhe disa ish-ministre ose ministra që do të shpallen non grata. Ramës po i hapet rruga e lirë për në 2029-ën. Do digjen njerëz në këtë vend. Jetojmë në një epokë ku ne nuk dimë qëllimin e superfuqisë, duan të mbrojnë Ballkanin nga Rusët apo kanë ndonjë arsye tjetër që nuk e dimë. Tani jemi futur në një epokë ku fjalën demokraci duhet ta harrojmë dhe jemi në situatën stabilitet dhe kush del kundër i pritet koka.

Çani, kryeministri tha se Ilir Meta turpëroi Shqipërinë ndaj dhe duhet shkarkuar. Si e patë fjalimin e zotit Rama. Dekriptuat ndonjë mesazh në fjalët e kryeministrit?

Çani: Rama është stërvitur dhe e ka talent kur do ti japë peshë fjalës së tij. Ai është aktor i mirë.