“Janë traumatizuar fëmijët”/ Flasin familjarët e Kudret Saliaj: Ditën para ekzekutimit na kanë ardhur në banesë


Një ditë pas përcjelljes së trupit të pajetë të Kudret Saliajt të vrarë nga vjehrri i tij, kushëriri i viktimës, tha për Fax News se sfida e tyre më e madhe është qëndrimi pranë fëmijëve të mitur dhe kujdesi ndaj tyre.

Familjari komenton edhe daklaratat e ish-miqve të shtëpisë për të cilat pretendon se janë mashtrime, e për këtë thotë se faktet ndodhen në dosjet e prokurorisë.

“Të merret dosja në prokurori. Ajo është e dënuar për dhunë në familje. Ka akuza të tjera të cilat nuk janë shqyrtuar nga prokuroria. Ka vendime të gjykatave. 3 fëmijët ndodhen në banesën ku jetonte Kudreti. Janë të pavërteta deklaratat e tyre (Mexhitit dhe bashkëshortes). Ditën para vrasjes na kanë ardhur në banesë, Kudreti jo vetëm nuk e ka sulmuar dhe dhunuar atë, por ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ka kërkuar forma të ndryshme për ta larguar. Goca 9 vjeç djemtë 12 dhe 16 vjeç janë të traumatizuar. Ne nuk na duhet dalja para mediave, ajo që është bërë është bërë, çfarë zgjidh dalja jonë? Pesha më e madhe jona janë fëmijët tani, Kudretin e përcollëm të shkretin, kujdesi ndaj tyre. Ata le të dalin në media, s’di ç’të them për ta, ne i kërkojmë drejtësisë të japë drejtësi. Pretendimi i saj se është dhunuar nga Kudreti e apo shenjat që ka treguar, s’është e vërtetë. E dimë ne dhe e di edhe ajo e prokuroria kush ia ka bërë shenjat asaj. Janë historira të vjetra. Pyeteni avokatin që u plagos, ai e njeh dosjen”, tha kushëriri i Kudretit.