Kreu i ILD flet për gjyqtaren e “Tik Tokut”: Duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra që të tjerët i bëjnë lirshëm


Inspektori i Lartë të Drejtësisë Z. Artur Metani dha një intervistë për MCN foli dhe për gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

Kjo e fundit bëri xhirn e rrjetit pasi postonte në “Tik Tok” video nga jeta e saj private, mirëpo aspak të denja për një gjyqtare.

I pyetur për rastin e magjistrates, për të cilën ILD ka kërkuar pezullimin dhe shkarkimin në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, z. Metani tha se mirëkupton sensibilitetet e ndryshme publike, mirëpo vepron mbi bindjen e bazuar në ligj, mbi sjelljen që duhet të ketë një zyrtar në publik, e akoma më tepër një magjistrat, që vendos për jetën e të tjerëve.

“Për këtë arsye, ti duhet të jesh shumë rigoroz në sjelljet e tua, duhet të vetëpërmbahesh e duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra, që të tjerët mund t’i bëjnë shumë lirisht, edhe pse mund të jetë brenda sferës private. Eshtë domosdoshmëri pikërisht për këtë efekt, që krijon tek qytetarët vendimarrja jote.”

Reagimi i ILD-së ishte tepër i shpejtë tha z. Metani, pasi publiku e meritonte një përgjigje të shpejtë, nga institucionet të cilat e kanë detyrim e për pasojë edhe pse kam vëmendje për perceptimet që përcillen në publik, vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e lidh vetëm me ligjin e me asgjë tjetër.

“Bindjen time personale të bazuar në ligj, unë nuk e negocioj me asgjë. Me asnjë artikull apo deklaratë publike“, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.