Projekte për turizmin, çelet thirrja për promovimin e destinacioneve dhe produkteve


Tre tematika të lidhura me turizmin do të mbështeten nga fondet e qeverisë për të gjithë ata që paraqesin projekte të vlefshme deri në 21 korrik 2021.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit çeli thirrjen e radhës e cila parashikon mbështetjen deri në 50 për qind të vlerës së projektit për të gjithë ata që kalojnë fazën e vlerësimit. Në dispozicion për këtë mbështetje janë 35 milionë lekë. Në njoftimin e çeljes së thirrjes ministria thekson se kjo vjen në kushtet kur turizmi është sektori më i goditur nga pandemia.

“Qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, nisur edhe nga situata në të cilën ndodhet industria e turizmit për shkak të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga infeksioni COVID 19, nevojitet fokusim në promovimin e destinancioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore vendase, si dhe duke diversifikuar me modele inovative produktet turistike, duke zhvilluar modele të reja të funksionimit të aktiviteteve detare dhe menaxhimit të vijës bregdetare” thuhet në dokumentin e ministrisë.

I njëjti nënvizon se projektet do të ketë të paktën tre tematika ku e para ka të bëjë me promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të veçanta të produkteve dhe atraksioneve turistike.

“Nën këtë tematikë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë:

  • Zgjerimin e aktiviteteve dhe ofertave turistike, duke synuar forcimin apo krijimin e produkteve të reja turistike, që shkojnë për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme.
  • Përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale, studentëve në promovimin përmes produktit turistik sipas karakteristikave të destinacioneve turistike.
  • Promovimin e produkteve turistike shqiptare” sqaron Ministria.

Tematika e dytë ka të bëjë me krijimin/zhvillimin/përmirësimin/ e produkteve turistike specifike në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, përveç shërbimeve bazë standarde.

“Nën këtë tematikë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë:

  • Zhvillimin e produktit turistik në mënyrë inovative drejt produkteve të interesit të veçantë. Në këtë përfshihet hartimi i modeleve studimore e zhvillimore të aktiviteteve detare si pjesë e Turizmit blu, si dhe ngritjen e modeleve të menaxhimit të hapësirës së stacioneve të plazhit.
  • Zhvillimin e produktit turistik gjatë gjithë vitit në lidhje me veprimtari të ndryshme turistike me tematikë gastronominë, zonat rurale, etnografinë, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore etj”, thuhet në dokumentet e thirrjes.

Tematika e tretë ka të bëjë me përgatitjen e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike./Monitor/