U gjet i pajetë në lumë/ Del ekspertiza mjeko-ligjore për Rudolf Elezoviç: Është ekzekutuar para 10 ditësh


Del ekspertiza mjeko-ligjore për oficerin malazez të antidrogës Rudolf Elezoviç, i cili u gjet pa jetë afër një lumi.

Pas raportit është konfirmuar fakti se viktima është ekzekutuar përpara 10 ditësh, ku mësohet se është qëlluar më një plumb në kokë.

Hetuesit dyshojnë se oficeri i antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit është ekzekutuar në një vend tjetër dhe më pas është çuar buzë lumit Buna, pranë fshatit Shëngjergj të Ulqinit.

Sipas mediave malazeze, policia nuk ka gjetur armën apo gëzhojën. Pranë trupit nuk kishte asnjë provë që do të ndihmonte grupin hetimor.

Fillimisht u dyshua se ai ishte vetëvrarë, por pas këqyrjes me imtësi të vendit të ngjarjes, policia arriti në konkluzion se Elezoviç është vrarë.

Mediat malazeze raportuan se një bashkëpunëtor i drejtësisë ka deklaruar se Elezoviç bashkëpunonte me trafikantët duke i lejuar ata të kryenin aktivitetin kundrejt shpërblimeve në të holla. Pikërisht për këtë hetimet janë përqendruar tek një rrëmbim i mundshëm i zyrtarit të policisë nga grupet kriminale.

Trupi i pajetë u gjet pikërisht në këtë vend, rreth orës 21:40 minuta të mbrëmjes së të martës nga banorët e zonës.

Elezoviç rezultonte i zhdukur që prej 27 majit. Për herë të fundit ai ka folur me bashkëshorten, të cilës i tha se ishte nisur për në Shqipëri për arsye pune.

Sinjalin e fundit, telefoni i tij e dha në kufirin mes Shkodrës dhe Malit të Zi, mes fshatrave Pentar dhe Reç.

Elezoviç shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014. Së fundmi  punonte si oficer në sektorin e Antitrafikut në Ulqin e Tivar.