U kërkohet të punojnë orë shtesë pa pagë, punëtorët në Greqi marshojnë në protesta


Mijëra qytetarë grekë dhe nga popullsi të ndryshme, përfshirë edhe shqiptarë, shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit të Ministrisë së Punës. Pjesëmarrja e njerëzve në grevë dhe marshimin drejt Parlamentit kundër draftit për punën, të promovuar nga qeveria greke ishte tepër e lartë

“Nuk mund të lejojmë që të bëjmë një jetë ku nuk mund të ndërthurim familjen me punësimin. S’mund të lejojmë që shëndeti ynë mendor dhe fizik të përkeqësohet për shkak të këtyre kushteve të papranueshme”, tha një qytetare.

Njerëz nga të gjitha grupmoshat morën pjesë në marshim, me shumë prindër që kishin marrë me vete edhe fëmijët.

Njerëzit protestuan në mënyrë paqësore. Të pranishëm po ashtu ishin edhe krerë të partive politike, mes të cilëve spikaste Alexis Tsipras.

Përpos autobusëve, të gjitha mjetet e tjera të transportit kishin shpallur një grevë 24-orëshe, teksa anijet qëndruan të ankoruara në portet e vendit.

I gjithë ky reagim vjen pasi qeveria greke kërkon që punonjësit të punojnë të paktën 4 orë më tepër pa të drejtë page në mënyrë për të përmirësuar situatën ekonomike nga pandemia.