Alimehmeti tregon pse ‘Delta’ na infekton më shpejt/ Rakacolli: Presim konfirmim, më shqetëson…


Ekziston shqetësimi se varianti i ri i Covid, Delta, që është bërë mbizotërues në shumë vende të botës, mund të jetë prezent edhe në vendin tonë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në studion e “Repolitix”, u shpreh se ndonëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për mbërritjen e këtij varianti, rritja e rasteve të reja ditët e fundit është shqetësuese.

“Për variantin Delta kemi dyshime të forta, por nuk kemi akoma konfirmim zyrtar. Në analizën që bëhet specialistët thonë që ka sinjale që duhet të jenë të Deltës, por ne presim një konfirmim në laboratore që i bëjnë më të hollësishme këto analiza. Në këtë situatë, ku ka konfirmime në Kosovë, Greqi e Maqedoni, nuk ka sesi mos të ketë në Shqipëri, por gjërat duhet të jenë të konfirmuara që të publikohen”, tha Rakacolli.

Ndërsa mjeku Ilir Alimehmeti tha se janë disa arsye se pse ky variant po përhapet më shpejt se të tjerët.

“Ky variant ka simptoma pak më ndryshe se covid normal, nuk ka shumë temperaturë dhe kollë, por më shumë dhimbje koke, rrufë sekrecione hundësh, dhimbje fyti, ndaj dhe njerëzit e neglizhojnë, nuk i kushtojnë shumë rëndësi, nuk vënë në alert veten apo familjen. Duhet direkt të kontaktohet mjekja e familjes dhe të merren masa”.