“Batakçinj ose kopila të mëdhenj” Fuga komenton Kuvendin e PD: E vërteta djegëse nuk thuhet


Pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, i cili zhvilloi punimet të shtunën e javës që sapo u mbyll, ka reaguar dhe akademiku i njohur Artan Fuga.

Duke iu referuar hebreut të vjetër Shlomo Ibn Gabirol, ai shprehet se për tu pozicionuar përballë të vërtetës djegëse, ka 4 mundësi.

Dhe sipas asaj që poston Fuga, të parët janë ata që e njohin ku qëndron problemi dhe e dinë që e dinë se ku është problemi. Ca prej tyre e thonë, ca e mendojnë por nuk e thonë, sa thonë të kundërtën e asaj që dinë sepse janë batakçinj ose kopila të mëdhenj, ose lidera të mëdhenj!

REAGIMI I PLOTE:

Duke ndjekur me shumë vëmendje në tv punimet e kongresit të PD.

Duke dëgjuar me respekt diskutantët dhe raportin më vinte ndërmend një autori i shekullit të 11-të, poet dhe filozof, ka shkruar një libër që në shqip e përkthej si “Përzgjedhja e Perlave”, quhet Shlomo Ibn Gabirol, hebre i vjetër.

Aty ai thotë se ka katër mundësi për t’u pozicionuar përballë së vërtetës djegëse:

  1. Janë ata që e njohin ku qëndron problemi dhe e dinë që e dinë se ku është problemi. Ca prej tyre e thonë, ca e mendojnë por nuk e thonë, sa thonë të kundërtën e asaj që dinë sepse janë batakçinj ose kopila të mëdhenj. Ose lidera të mëdhenj!
  2. Ca të tjerë e dinë se ku fle ariu, pra e dinë të vërtetën, por nuk e dinë se e dinë. Këta ose janë tipa modestë, të sjellshëm ose nuk kanë guxim t’i pohojnë vetes ato që dinë sepse nuk ua mban, kurrizi, ose sepse kanë aftësi mendore të kufizuara.
  3. Ka të tjerë që nuk e dinë të vërtetën, nuk e njohin problemin, por nuk e dinë që nuk e dinë, dhe për rrjedhojë kujtojnë se e dinë. Këta janë mendjefyella ose tipa që kënaqen me ca hamendje që i marrin si të vërteta ose mendojnë sa diametri i një gote rakie, ose aq dinë. Ose janë të sinqertë, por të padobishëm.
  4. Ka të tjerë realistë që nuk e dinë fare ku qëndron problemi, ku është e vërteta, por ama e dinë që nuk e dinë dhe janë të qetë, të heshtur, presin një biletë vajtje – ardhje kaq!

E more Shlomoooooo sa i madh je! Kujtojnë këta se je naiv!