Bujar Nishani “shpërthen” për Kuvendin e PD: Na ka nxirë fytyrën të gjithëve


Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe njëherësh një nga zërat më kritik brenda kësaj force politike Bujar Nishani, ka “shpërthyer” ndaj Kuvendit Kombëtar të mbajtur në 17 korrik në Tiranë. Vetë Nishani nuk mori pjesë dhe refuzoi të bëhej pjesë e asaj që e quan Teatër Absurd.

“Kuvendi Kombëtar i PDSH u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të L. Bashës. Situata e rëndë për PD dhe opozitën si institucion kërkonte krejt tjetër gjë. Dramatikisht tjetër !

PD vinte në këtë Kuvend me humbjen e 4 (katërt) radhazi përballë kundërshtarëve të vet! PD për herë të parë në historinë e saj mbetet 3(tre) mandate rrjesht në opozitë, (12 vjet) dhe me risk shumë të lartë për ti humbur përsëri zgjedhjet e rradhës”, shkruan Nishani.

Ai analizon me pika atë se çfarë ndodhi në Kuvendin Kombëtar dhe çfarë duhet të ndodhte realisht.

“L. Basha sot është jo vetëm borxhliu më i madh ndaj PD në të gjithë historinë e saj,  por është dëmtuesi dhe autori i shkatërrimit më të dhimbshëm të saj.  L. Basha ja doli ti shkaktoi demokratëve atë që nuk arritën t’ja bënin dot as F. Nano, as E. Rama e asnjë prej kundërshtarëve të tyre politik në 30 vitet e betejave politike.

L. Basha e di shtetin “lodër” ku mund të argëtohet e partinë zyrë ku mund të punësohet !!!! Ka 8 vjet që sa herë E. Rama i fut një shpullë në faqe L. Bashës, ky i kthen faqen tjetër. Sapo i vjen shpulla e rradhës në faqen tjetër, i rikthen faqen e parë.

Problemi nuk është se na dhimbset faqja mavi e L. Bashës nga shpullat e E. Ramës, por na ka nxirë fytyrën të gjithëve pasi ky paraqitet faqe botës si Kryetari i PD dhe si  alternativa qeverisëse e Shqipërisë”, shkruan Bujar Nishani.