“E papranueshme” Përplasje e biznesmenëve me policinë në Vlorë, Meta reagon ashpër


Presidenti Ilir Meta ka dënuar ashpër ngjarjet e mbrëmjes së djeshme në zonën e Lungomares në Vlorë, ku pati përplasje mes policisë dhe disa biznesmenëve.

Këta të fundit po protestonin pasi kanë kërkuar që orari i lejuar i muziës në lokale të shtyhej më shumë se ora 22:00.

Disa video qarkulluan, ku në njërën prej tyre dallohej një grua biznesmene e cila u prangos dhe u shoqërua në polici, mes britmave dhe ulërimave.

Meta i bën apel policisë që të sillet në lartësinë e detyrës së saj, duke dënuar dhunën e mundshme, kryesisht ndaj gjinisë femërore.

REAGIMI I PLOTE:

Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.

Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.

Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqertë dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë!