I arratisur nga burgu/ Mediat greke publikojnë pamjet e shqiptarit me maskë duke grabitur bankën


Një shqiptar i arratisur nga burgu, bashkë me një grek kanë rënë në prangat e policisë për grabitjen e një banke të nivelit të dytë në lagjen Peristeri të Athinës.

Mediat vendase kanë nxjerrë pamjet nga momenti kur shqiptari hyn brenda në bankë i maskuar dhe i armatosur duke grabitur degën.

Nën kërcënimin e armës ai bllokoi arkëtarin dhe mori shumën që gjendej aty.

Më pas doli duke u arratisur me bashkëpunëtorin e tij grek që po e priste jashtë.

Por arratia nuk zgjati shumë. Dy grabitësit u lokalizuan dhe pavarësisht rezistencës u prangosën.

Shqiptarit, identiteti i të cilit nuk publikohet iu sekuestruan një pistoletë me mulli, fishekë, një shumë në euro që grabiti dhe veshjet e përdorura.

Grekut iu gjet një armë, dy hanxharë dhe makina që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia greke thotë se shqiptari ishte arratisur nga burgu në 20 janar të vitit të kaluar, ku po vuante dënimin 28 muaj për vjedhje, rezistencë dhe hyrje ilegale në Greqi.