I dënuar me burgim të përjetshëm/ Kush është “Eskobari” shqiptar nga Lushnja, dalin pamjet nga momenti i arrestimit


Detaje të reja, janë publikuar në lidhje me arrestimin e bosit shqiptar të kokainës, Agim Çerma, i njohur me pseudonimin “Jimmy”, i cili u kap dy ditë më parë së bashku me katër bashkëpunëtorët e tij.

Policia në përfundim të operacionit zbuloi dhe sekuestroi 333 kilogramë kokainë dhe 2 miliardë pesos, rreth 450 mijë euro.

Ndërkohë së fundmi, mediat kolumbiane kanë publikuar edhe pamjet se si lëvizte shqiptari në Kolumbi duke u kamufluar se po shiste produkte kozmetike, por që në fakt  merrej me trafikimin e drogës.

Mediat bëjnë me dije se në shtëpinë e Çermës është gjetur edhe një kasafortë plot.

Sipas autoriteteve kolumbiane trafikanti shqiptar ishte në krye të veprimtarisë kriminale dhe bashkëpunonte me grupet më të rrezikshme të Kolumbisë.

Grupi kriminal u godit nga DEA.

Trafikanti nga Lushnja, ra në pranga brenda shtëpisë së tij në qytetin Palmira.

Çerma merrte paratë nga Europa për blerjen e kokainës dhe më pas garantonte dërgimin e drogës me avionë charter në SHBA, por edhe Europë, në Bullgari ,nga fluturimet përmes aeroporteve ndërkombëtare.

Për trafikun e kokainës ata përdornin edhe portet detare kolumbiane, ku droga fshihej në kontenierët e mallrave.

Mediat kolumbiane shkruajnë se shqiptari bashkëpunonte me “Clan del Golfo” (kartel kolumbian i drogës) në rajonin e Urabá dhe me “FARC” (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë) në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë kokainë dhe për ta transportuar, ndërsa kishin korruptuar kontrollorët ajrorë të trafikut për të lëvizur të qetë.