Në burg për shpërdorim detyre, ja kush do e gjykojë ish-kryebashkiakun e Lushnjes


Hidhet shorti në Apel për çështjen e ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe.

Ky i fundit ka kërkuar që të ndryshohet masa e sigurisë, kërkesë kjo e cila do të shqyrtohet më 29 korrik nga trupa gjykuese e kryesuar Nertina Kosova.

Kujtojmë se ndaj Tushes, i cili u shkarkua nga detyra menjëherë pas arrestimit, rëndon akuza për “shpërdorim detyre”.

Tenderi për të cilin Tushe u arrestua me urdhër të SPAK kishte të bënte me pastrimin e një kanali kullues. Bashkë me Tushe u arrestuan edhe dy biznesmenë dhe disa ish-zyrtarë dhe zyrtarë të Bashkisë së Lushnjes.

Nëpërmjet avokateve të tij mbrojtës Tushe i është drejtuar Apelit, ku kërkon masë më të butë sigurie, pasi për të nuk ka prova që e implikojnë atë në abuzimin me tenderin për 240 milion lekësh, për rehabilitimin e kanalit vaditës.

Gjithashtu me kërkesë për masë më të butë sigurie Apelit i janë drejtuar edhe vartësit e Tushes, të cilët u arrestuan pak javë më parë, pasi SPAK ka ngritur ndaj tyre tre akuza, atë të “Falsifikimit të dokumenteve”, shpërdorimit të detyrës” dhe “abuzimit me tendera publike”.