“Non grata” në PS, historiku i largimeve nën drejtimin e Edi Ramës


Në mbledhjen me kryebashkiakët e vendit, Edi Rama njoftoi përjashtimin nga PS të drejtuesit të Lushnjes, Fatos Tushe, pas arrestimit të tij nga SPAK.

Tushe është vetëm i fundit që përjashtohet nga partia nën drejtimin e kryetarit Rama. Rasti më i bujshëm është ai i Saimir Tahirit, ndaj të cilit po ashtu u hap një proces gjyqësor. Kryeministri Rama e përjashtoi Tahirin për t’a lënë të përballet me drejtësinë pa teserën e partisë.

Të njëjtin fat pati dhe Koço Kokëdhima, që pasi humbi mandatin e deputetit, humbi edhe pushtetin që kishte fituar në PS pas konflikteve me kryetarin e partisë. Në jug kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli mori lajmin e përjashtimit nga PS pasi nuk iu bind Edi Ramës për të kandiduar si deputet. Ndërsa të njëjtin fat e kishte pasur më herët paraardhësi i tij, Shpëtim Gjika.

Të vetmin që Edi Rama nuk e ka lëshuar ende, pavarësisht se u shpall non-grata nga SHBA-të është Vangjush Dako.

Precedentët nuk kanë munguar as brenda grupit parlamentar, si në rastin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, i cili u përjashtua live nga kryeministri Rama pasi kritikoi publikisht policinë e Lezhës.

Një ndër krisjet më të mëdha ka qenë dhe ajo mes kryeministrit Rama dhe deputetit Tom Doshi, që doli nga grupi socialist pas konfliktit me Ilir Metën, të cilin e akuzoi se kishte tentuar ta vriste.

Atëherë Rama zgjodhi të qëndronte në krah të Metës, por ftohja që pasoi mes dy krerëve të së majtës u shoqërua me riafrimin e kryesocialistit me Doshin, këtë herë si aleatë./A2