“Të hiqet raportimi i rasteve ditore”, Muka: Virusi duhet trajtuar si grip i zakonshëm


Epidemiologu Taulant Muka është i mendimit që covid-19 duhet të trajtohet si një grip i zakonshëm, duke parë situatën në vend.

Ai madje thotë se edhe raportimi i rasteve ditore të infektuarve, duhet të hiqet.

“Personalisht jam pro heqjes së raportimit ditor të rasteve. Të jesh pozitiv në testin PCR nuk të bën pacient dhe as të sëmurë. Një person mund të rezultojë pozitiv dhe kur nuk e ka kapacitetin për të infektuar të tjerët. Dhe për më tepër kur një person infektohet kur e ka kaluar Sars-Cov 2 imunizohet, mundësia që ai të quhet pacient është shumë e ulët. Dhe duhet të largohemi nga këto koncepte që të qetësojmë qytetarët. Situata duhet të ndryshojë. Ajo që është rëndësishme për vjeshtë dimrin është që spitalet të jenë të përgatitur.

Jam kundër vendosjes së një pasaporte për t’iu kthyer jetës normale. Kur je i vaksinuar edhe infektohesh dhe e transmeton virusin. Kur vaksina nuk e ndalon transmetimin e virusit vendosja e pasaportës nuk është diçka e drejtë. Duhet bërë një diskutim. Kjo nuk është etike, mund të sjellë dhe ndarje të shoqërisë.

Tashmë një vit e gjysmë nga pandemia ka ardhur koha që ta trajtojmë koronavirusin si grip dhe sigurisht në rast se do të ketë variante të reja shqetësuese mund të ndryshojë taktika”, u shpreh Muka i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2.