Tentuan ta trafikonin/ Miss Kosova rrëfen detaje nga historia e rëndë: Më shpëtoi Interpol


19-vjeçarja nga Gjilani, Tuti Sejdiu ka arritur që të fitojë kurorën e më të bukurës së Kosovës. Pasi fitoi çmimin e madh, modelja kosovare tha se kurorën ia dedikon babait të saj, që ndodhet në burg.

Në një intervistë për mediat kosovare, ajo zbuloi se gjashtë vite më parë është trafikuar në Serbi nga një person i cili jetonte përballë shtëpisë së saj dhe është përdhunuar nga njerëz të ndryshëm.

Ajo ka treguar se si ka arritur të shpëtonte nga Interpol pas 8 ditësh trafikim dhe më pas e dërguan në Kosovë.

“Komshiu im më dhunoi dhe më trafikoi nga Kosova në Serbi. Në atë kohë unë isha fëmijë 13 vjeç dhe nuk e kuptoja gjithçka dhe gjuhën serbe nuk e di e nuk e kam ditur as atëherë. Në ato momente e kam kuptuar se diçka nuk ishte në rregull. Mirëpo ditën e 8, kur shkova në Serbi më shpëtoi Interpoli dhe më solli në Kosovë pranë familjes time. Unë atë kapitull e kam mbyllur nuk merrem me të shkuarën, po luftoj vetëm për t’u vendosur drejtësi.

Kur më mori Interpoli më çoi në një qendër rehabilitimi dhe pastaj erdhi familja më mori. Po për t’i kaluar ato ditë dhe ato vite më është dashur të bëjë shumë sakrifica për t’i tejkaluar këto sfida. Por sfidat të bëjnë shumë të fortë”, ka rrëfyer Sejdiu.

“E tregova historinë e jetës për dy arsye: babain tim që ka kërkuar drejtësi dhe t’ju tregoj gjithë femrave se ne nuk duhet të heshtim, por ta mbajmë kokën lart dhe të flasim” ka thënë ajo ndër të tjera.