Tiranë, italiani rreh për vdekje ish-partneren zvicerane, si ndodhi ngjarja


Një sherr mes një italiani dhe zviceraneje ndodhi në Tiranë në tetor të vitit të kaluar.  Ndërkohë,këto ditë është zbardhur edhe dosja hetimore e kësaj ngjarje, në të cilën sqarohet se si Roberto Criscuolo, banues në Napoli Itali i shkaktoi plagë të rënda ish-bashkëjetueses së tij, Jennifer Christine Andree, shtetase zvicerane ndërsa banuese në Itali.

Gazetarja Anila Hoxha thotë se referuar dosjes hetimore, Criscuolo akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” pasi i ka shkaktuar plagë të rënda si pasojë e dhunës.

I pandehuri si dhe viktima kanë pranuar faktin se kishin bashkëjetuar dhe se bashkëjetesa me vullnetin e tyre kishte përfunduar afërsisht dy muaj para ditës së ngjarjes.

“Roberto Criscuolo e ka goditur me sende rrethanore, shishe, gota, i ka shkaktuar dëmtime trupore viktimës. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor rezulton se ka pasur shembje të indeve të kokës dhe të trupit, e shoqëruar me plagë në kokë, në trup dhe gjymtyrë, thyerje të parakrahut të djathtë, krisje të kockës së kokës në pjesën e pasme të djathtë.

Në datën 21.10.2020, rreth orës 22:49, policia gjyqësore pasi mori njoftim se në një banesë në pallatin “Sarael”, kati i shtatë në rrugën “Marko Bocari” kishte konflikt mes dy shtetasve. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se shtetasja zvicerane kishte shenja të dukshme dhune fizike. Në dyshemenë e banesës u gjetën mbetje xhamash të thyer, si dhe njolla të kuqe si ato të gjakut, ndërsa në vende të tjera të banesës si tualeti kishte peshqira me njolla të kuqe.

Edhe kartpecetat me njolla gjaku u ekzaminuan dhe rezultuan se ishin të viktimës. Ndërsa viktima pretendon se i pandehuri me veprimet e tij ka tentuar ta vrasë”, thuhet në dosje.

Prokuroria ka kërkuar që italiani të dënohet me 6 vjet burg, ndërsa avokatja mbrojtëse ka kërkuar me minimumin e dënimit të parashikuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Para gjykatës, i pandehuri tha: “Jam dakord sa tha avokatja. Jam i emocionuar. Kërkoj mëshirë.”

I pandehuri ka kërkuar ndjesë për ngjarjen e ndodhur teksa avokatja mbrojtëse theksoi se nuk ka qenë i dënuar më parë dhe se veprimet i kreu nën efektin e alkoolit.