Dalin notat për mbetësit e maturës/ Në listat dominon nota kaluese 5


Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar notat për mbetësit e maturës, duke i dhënë kështu një mundësi për t’u bërë pjesë e garës për në universitete në raundin e dytë të tij.

Në të katër listat me rezultatet e të rinjve shihet dominimi i notës kaluese, 5.

Rrallë shikon një 7, ndërsa maksimumi që ka arritur ndonjë prej tyre është nota 8 apo 9 dhe këto në provimet me zgjedhje, jo ato me detyrim siç janë gjuha e huaj, ajo shqipe dhe matematika.

Sidoqoftë, ata, njëjti si maturantët që dhanë provimet në sezonin e parë, kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë, nëse kanë. Nesër është afati i fundit.

“Në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2021, të gjithë maturantët/kandidatët që do të japin provimet e MSH 2021, sesioni i dytë, kanë të drejtë të kërkojnë fotokopjen e testit dhe të fletëpërgjigjes, pas përfundimit të të gjitha provimeve.

Çdo maturant/kandidat që kërkon kopjen e testit dhe fletëpërgjigjes përkatëse duhet të kryejë aplikimin online në portalin “e-Albania”, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”, duke filluar deri më 15 shtator 2021, për të gjitha provimet e MSH 2021, sesioni i dytë. Pas trajtimit të kërkesës, QSHA do të nisë kopjen e testit dhe të fletëpërgjigjes për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/kandidati në ‘e-Albania’”, informon QSHA të rinjtë.

Duhet theksuar se pas shumë vitesh ky shërbim ofrohet pa pagesë./panorama