Ishin akomoduar në Shëngjin/ Arrestohen dy afganë, ja akuzat që rëndojnë mbi ta


Arrestohen nga policia dy afganë të akomoduar në Shëngjin.

Mësohet se gjatë verifikimeve, ka rezultuar që ata kanë falsifikuar dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit.

Në pranga janë vënë dy shtetasit afganë me inicialet S. S.dhe S. K. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE:

Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, si rezultat i masave të shtuara për evidentimin dhe goditjen e paligjshmerisë në fushën e  falsifikimit të dokumenteve, bazuar në informacionet e siguruara për shtetas afganë të akomoduar në Shëngjin, që mund të përdornin dokumente të falsifikuara, kanë kryer verifikime ndaj dokumenteve të shtetasve S. S.dhe S. K.

Gjatë verifikimeve, dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit të dy shtetasve të lartpërmendur kanë rezultuar të falsifikuar.

Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit afganë, S.S.,23 vjeç dhe S.K.,27  vjeç,  për veprën penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.