“Jemi të shqetësuar” Tensionet në veri të Kosovës, reagon ambasada amerikane


Sipas një zëdhënësi të ambasadës së SHBA në Prishtinë ka thënë për mediat e Kosovës se Washingtoni është i shqetësuar me mënyrën se si është kundërshtuar sot përpjekja e institucioneve të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në të gjithë territorin e vendit.

“SHBA është e shqetësuar nga përgjigja që ju dha sot aksioneve për zbatimin e ligjit të Kosovës në territorin e Kosovës. E gjithë dhuna, e drejtuar qoftë ndaj autoriteteve, mediave, ose qytetarëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht deri në zbatimin e plotë të ligjit. Bëjmë thirrje për qetësi”, ka thënë ky zëdhënës i pyetur për zhvillimet e ndodhura gjatë aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri të Kosovës.

Por nga ana tjetër, kryediplomati i BE Joseph Borell ka patur një reagim krejt ndryshe.

Ai është shprehur se veprimet e njëanshme që cënojnë sigurinë janë të papranueshme.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në një postim në rrjetet sociale.