Më shumë se 500 veta në spital/ Dalin analizat e ujit, ja çfarë e shkaktoi helmimin masiv në Krujë


Dalin analizat paraprake që i janë bërë ujit që solli helmimin e banorëve të Krujës, kun ë vetëm dy ditët e fundit kanë mbërritur në spital për të marrë ndihmë mjekësore mbi 500 qytetarë.

Mësohet se nga analizat që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik, janë zbuluar në prani të lartë dy baktere në ujë, Escherichia Coli dhe Streptokoku Fekal.

Dyshohet se uji është ndotur në burim, ndërkohë që në afërsi të depos së ujësjellësit ndodhet edhe një stan me bagëti.

Prokuroria e Krujës njoftoi paraditen e sotme nisjen e hetimeve në lidhje me këtë helmim masiv të banorëve.

Prokuroria e Krujës njoftoi se ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

NJOFTIMI I PROKURORISE:

Në lidhje me ngjarjen e datës 25.10.2021, ku pranë Spitalit “Stefan Gjoni” të qytetit të Krujës janë paraqitur me shenja helmimi një numër i konsiderueshëm banorësh të këtij qyteti, duke qenë se kjo ngjarje paraqet interes për opinionin publik, bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

JU INFORMOJMË SE:

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.

Për këtë qëllim,është urdhëruar kryerja e akteve të ekspertimit mjeko – ligjor për të përcaktuar se cili ka qenë shkaku i helmimit të banorëve. Janë duke u kryer hetime në drejtim të analizave fiziko-kimike dhe bakteriale të ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Krujës, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave në lidhje me këtë ngjarje.

Aktualisht jemi në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit si më sipër.