“Në dy vjetorin e tërmetit” Ahmetaj tregon vendimin e qeverisë për Rindërtimin: Do shpërndajmë 1050 shtëpi


Numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj zbuloi vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Ai u ndal te Rindërtimi, ku theksoi fillimisht se qeveria do  të kalojë pronësinë e shkollave drejt  bashkive ku ato ndodhen.

Gjithashtu, zv.kryeministri deklaroi se gjatë muajit nëntor do të fillojë shpërndarja e banesave për qytetarët e prekur nga tërmeti, ku vetëm më 25-26 nëntor, do të jepen 1050 shtëpi.

Përzgjedhja e shtëpive sipas Ahmetaj do të bëhet fillimisht sipas një liste të familjeve në nevojë, ndërkohë që pjesa tjetër do të bëhet me short nga bashkitë.

Procesi i shpërndarjes sipas zv. kryeministrit do të përmbyllet në shtator të vitit të ardhshëm.

“Si zakonisht do vijojmë të informojmë qytetarët për vendimet e Këshillit të Ministrave. Unë dua të informoj në lidhje me një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin e Rindërtimit.

Sapo filloi kalimi i shkollave në pronësi të bashkive. Sapo kemi miratuar që një numër i madh shkollash të ndërtuara nga Rindërtimi t’i kalojnë qytetarëve, fëmijëve dhe bashkive për tu menaxhuar.

E dyta ky muaj është shumë i rëndësishëm për familjet e dëmtuara. Ne kemi vendosur të kalojmë në pronësi të plotë të familjeve të dëmtuara shumë njësive individuale dhe apartamente.

Pyetja është si do të bëhet shpërndarja. Fillimisht do të ketë një listë, ku trajtohen familjet me ndihmë ekonomike. Është një kategori që ne e kemi cilësuar si më emergjenten. Për pjesën tjetër shpërndarja do të bëhet me short publik. Është detyrim e bashkive që të fillojnë shortet publike transparente për të shpërndarë apartamentet apo njësitë individuale

Gjatë muajit nëntor në datën 25 dhe 26 nëntor, do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Është një lajm i mirë për familjet, ato do të futen në shtëpitë e reja. Do ta vazhdojmë procesin e shpërndarjes së apartamenteve dhe njësive individuale edhe në muajin dhjetor dhe gjatë gjithë muajve të vitit tjetër deri në shtator”,  tha Ahmetaj.