“Nuk ka kryer shkelje” Thoma Gëllçi akuzohet për abuzim me tenderin, flet avokati i ish-drejtorit të RTSH


Avokati i ish-drejtorit të RTSH Thoma Gëllçi, Dorian Matlia, ka deklaruar sot në mbrëmje se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk mund  të akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas tij çështja e Gëllçit nuk ka të bëjë me procedura prokurorimi.

Ai theksoi se Prokuroria ka marrë në dorë një çështje që nuk i takon, ndërsa shton se SPAK dhe Prokuroria po e hetojnë së bashku për t’i dhënë efekt të bujshëm çështjes së Thoma Gëllçit.

“Kjo është çështje kompetence, një organ i ka qarta detyrimet. Nuk mund të jetë prokuroria e posaçme për këtë vepër penale.

Dua të sqaroj disa gjëra. Gëllçi nuk është i akuzuar për asgjë që ka të bëjë me procedura prokurorimi. Në të gjithë rastet e tenderave zhvillohen nga prokurorimi dhe në asnjë rast ai nuk mund të jetë pjesë e prokurimit.

Akuza e vetme është vetëm me lidhje me afatin kontraktor, nuk ka lidhje me procedurat e prokurorimit publik. Prokuroria ka marrë në dorë një çështje që nuk i takon. Shpërdorimi i detyrës nuk hetohet nga SPAK. Ata po e hetojnë bashkë që ti japin efekt të bujshëm kësaj çështje. Nëse ka faj apo jo Gëllçi duhet ta hetojë Prokuroria e Tiranës”, tha Matlija në programin “Open”.