Projekti për Unazën e Alpeve, PD: Beci po premton atë që tentuan të bëjnë demokratët, por Rama e dërgoi fondin në Korçë


Deputeti i PD-së, Helidon Bushati ka akuzuar deputetin socialist në Shkodër, Benet Becin pasi ky i fundit prezantoi një ditë më parë projektin për Unazën e Alpeve, që është rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj.

Bushati shkruan se Beci po bën fushatë dhe se po premton atë që të demokratët tentuan ta bëjnë në vitin 2013.

“Deputeti i rilindjes për Shkodrën paska shpallur dje si arritje të madhe se janë duke biseduar rreth një projekti infrastrukture, në atë që njihet si Unaza e Alpeve. Çdo investim në zonë do të ishte i mirëpritur dhe unë i pari do ta përshëndesja. Dua vetëm të ndajmë punën nga propaganda. Shihni çfarë diference ka deputeti i rilindjes sot, me veten e tij në vitin 2013. Dhe këtu del edhe dallimi i dy kohëve. Në fund të qeverisjes së demokratëve u miratua fondi prej 5 miliardë lekësh dhe ishte gati nisja e punës për aksin Prekal-Kir (Komuna Pult).

Deputeti i rilindjes e mban mend mirë se përveçse dëshmitar, ishte edhe i përfshirë në këtë projekt si drejtues i FSHZH. Sapo erdhi Edi Rama në pushtet, e mori atë buxhet, dhe e dërgoi në Korçë. Ky ishte pra vullneti i rilindjes për qarkun e Shkodrës. Sot, i njëjti na e hedh si realizim premtimi e si vëmendje, një gjë që është në fazën e diskutimit. Po 8 vitet e humbura? Po për këto kush mban përgjegjësi? Mund të kalohet një ditë më propagandë, ndoshta dhe një javë. Po faktet janë aty dhe s’të lënë të shkosh larg”, shkruan Bushati.