“E ku ka më bukur” Ministrja Kushi jep lajmin e madh: Një komb, një gjuhë


Eventi ku morën pjesë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi quhej “Një Gjuhë, Një Abetare”.

Në ditën e Pavarësisë, sot nisën zyrtarisht punimet për një “Abetare Unike”.

Gjatë fjalës së saj, Kushi tha se duke filluar nga viti shkollor 2022-2023 teksti i abetares do të jetë një për të gjithë nxënësit shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ministrja më tej shtoi se në 110 vjetorin e pavarësisë fëmijët shqiptar do të kenë një gjuhë të unifikuar.

“Mendojmë që në kushtet e reja në të cilën ndodhemi, patjetër që një abetare e re do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të japë një kontribut më të rëndësishëm të brezave të ri. Kemi një kontekst social të ri dhe historik. Kemi metodologji të reja bashkëkohore dhe teknologji të avancuara. Që të gjitha këto duhet të reflektohen te përmbajtja dhe forma e abetares së re.

Kam bindjen që vendimi që morëm te Këshilli i Ministrave për të pasur një abetare unike, është vendimi i drejtë dhe i duhur, për të pasur të gjithë një start të barabartë dhe padyshim një qasje të barabartë.

Unë kam besim që puna për abetaren e re ka një bazë shumë të mirë dhe jam i sigurt që autorët tanë, metodistët tanë kanë përkushtimin e duhur për të konkurruar me abetare dinjitoze. Jam e lumtur që iniciativa e kryeministrit, jo vetëm ka gjetur mbështetje të gjerë në Shqipëri, por jam e lumtur që dhe festa që ai i drejtoi qeverisë së Kosovës, gjeti gjithashtu miratim. Unë me homologen time në Kosovë kemi dakordësuar për të filluar shpejt nga puna për një komision të përbashkët që do të merret me të gjitha procedurat.

E përsëris që kemi një përvojë të mirë në bashkëpunim me Kosovën. Vitin e ardhshëm, ne t’i dhurojmë vogëlushëve, një abetare të re të përbashkët, të unifikuar për të gjithë nxënësit. E ku ka më bukur, një komb, një gjuhë, një abetare”, tha Kushi.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, propozoi që 22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të shpallet feste Kombëtare.

“Kam marrë nismën që 22 Nëntori dita Kombëtare e Alfabetit, të shpallet Festë Kombëtare”, tha Nikolla.